Tonin Zadeja

Shoqëria "Vllaznia" 1919

Krahas shoqrërive kulturore - artistike "Bogdani" e "Rozafat" për të cilat kemi folur në numrat e mëparshëm të kësaj reviste (nr. 1 - 2, viti 2000 dhe nr. 1 - 3, viti 2001), një vend të rëndësishëm në jetën kulturore - artistike dhe politike të qytetit të Shkodrës zë edhe veprimtaria e shoqërisë "Vllaznia" e vitit 1919. Megjithse e kufizuar në kohë (1919 - 1922), veprimataria e kësaj shoqërie qe shumë e pasur dhe e gjithanshme.

Të nisur nga qëllimi fisnik për t'i shërbyer Atdheut, me 16 shkurt 1919, në shtëpinë e fotografit patriot Kel Marubi, anëtarët e shoqërisë "Vaso Pasha" dhe "Mustafa Pasha", dy shoqëri që formalisht i ndante përkatësia fetare por jo ideali kombëtar, u bashkuan dhe formuan shoqërinë me emrin kuptimplotë "Vllaznia". Në shoqërinë e porsaformuar aderuan edhe pjesa më e madhe e anëtarëve të shoqërisë "Nji tubë djelmni shkodrane". Baza shoqërore e shoqërisë "Vllaznia" qe mjaft e gjërë. Në të bënin pjesë profesorë e juristë, sportistë e shkollarë. Nismëtar për themelimin e shoqërisë "Vllaznia" qe poeti Hilë Mosi, pjesëmarrës me armë në dorë në kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, themelues i disa shoqërive atdhetare - kulturore në Korçë e Shkodër, anëtar i "Komisisë letrare shqipe", publicist dhe shqipërues i talentuar. Ai ishte bërë tashmë një përsonalitet i njohur dhe shumë popullor në qytetin e lindjes, prandaj në mbledhjen themeluese të shoqërisë, Hilë Mosi u zgjodh një zëri kryetar i saj. Nënkryetar u zgjodh Hysen Draçini, arkëtar Patuk Saraçi, këshilltarë Kel Marubi dhe Luigj Kodheli, kontrollorë Taip Hilmia dhe Omer Ruzhdia, sekretar Jonuz Tafilaj, llogaritar Ali Borshi. Në kryesinë e shoqërisë bënin pjesë edhe drejtuesit e katër degëve vepruese të shoqërisë: Kristo Flloqi për degën letrare, Salih Nivica për degën teatrore, Ndue Paluca për degën muzikore dhe Kolë Margjini për degën gjimnastikore. Meqë Salih Nivica ishte i zënë me botimin e gazetës "Populli", si zevendës i tij u zgjodh Mati Logoreci.

Në dokumentin programatik, botuar së bashku me rregulloren (statutin) e shoqërisë në numrin e parë të së përkohshmes letrare "Agimi (maj 1919, fq. 1 - 4), shprehet qartë qëllimi që do të udhëhiqte anëtarët e "Vllaznisë" në veprimtarinë e tyre : "Duem të zgjojmë kombin shqyptar në zhdrivillimin e gjuhës së tij letrare e në kulturën qi ka me vijue mbas tashit?". Meqë atë vit Shkodra ndodhej nën kontrollin e forcave ushtarake aleate të komanduara nga gjenerali francez Bardi de Fourtou, shoqëria u detyrua të pranonte se do ta zhvillonte veprimtarinë e vet "? tuej mos u perzi në politikë". Por, siç do të shohim më poshtë, shoqëria "Vllaznia" nuk vonoi ta shpallte veten si një shoqëri edhe me karakter politik. Rregullorja e shoqërisë "Vllaznia" përmbante 19 nene të ndarë në katër kapituj: I. Anëtarët, detyrat e anëtarëve vepruesa; II. Degët e shoqërisë dhe detyrat e tyre; III. Paria dhe IV Shpërblime. Shoqëria "Vllaznia" pati gjithashtu vulën, distinktivin e flamurin e saj. Flamuri i shoqërisë qe flamuri ynë kombëtar me katër shirita të gjelbërt kapur lart në shtizën e flamurit, shkruar me to, me germa ngjyrë ari degët e shoqërisë. Shoqëria "Vllaznia" gëzoi konsideratën më të lartë nga Luigj Gurakuqi, i cili, në një takim me anëtarët e shoqërisë "zhvilloj, me atë rethorikën e vet si e ka zakon, qëllimin qi secila Degë e Vllaznisë do ta ketë parasysh, e pat fjalë lavdimi e nderimi për shoqnin tonë". (Agimi, prill 1921, fq.178). fakti që në muajt e parë të krijimit të saj, shoqëria numëronte 172 anëtarë vepruesa dhe 74 anëtarë ndihmtarë, flet qartë për jehonën e favorshme që shkaktoi në opinionin qytetar shkodran formimi i shoqërisë "Vllaznia". Si lokal, në fillim, shoqëria pati dy dhoma në Shkollën e Parrucës.

Ndërkohë, degët e shoqërisë kishin filluar apo përgatiteshin të fillonin veprimtarinë e tyre. Për t'u shënuar, gjatë vitit 1919, veprimtaria e degëve letrare dhe teatrore. Kështu, duke u mbështetur në rubrikën "Veprimet e deritanishme" (Agimi, maj 1919, fq.5), mësojmë se me 5 prill 1919 shoqëria hapi një shkollë nate me 4 rende dhe 7 mësues, shkollë të cilën e ndoqën mbi 100 të rinj e të rritur. Programi mësimor përfshinte, në periudhën e parë, dhenien e lëndëve shkrim, këndim dhe aritmetikë. Gjatë kohës numri i nxënësve arriti deri në 200. Falë punës plot vetëmohim të mësuesve që jepnin mësim në këtë shkollë, ajo luajti një rol të rëndësishëm në luftën kundër alfabetizmit. Gjithashtu, dega letrare hapi në një prej mjediseve të Shkollës së Parrucës një sallë leximi që u frekuentua nga shumë qytetarë shkodranë. Fondit të librave që shoqëria "Vllaznia" trashëgoi nga "Komisia letrare shqipe" (1916 - 1918), iu shtuan, gjatë kohës, libra të rinj, gazeta e revista të ndryshme shqipe dhe të huaja. Në veprimtarinë e degës letrare bënte pjesë edhe organizimi, kohë pas kohe, i konferencave me karakter divulgativ apo shkencor, siç qe ajo "Mbi vjetërsinë e shkrimit të gjuhës shqipe", mbajtur me 21 prill 1919 nga Kristo Floqi në sallën e kinemasë së qytetit. Vlera të veçanta, në kontekstin e veprimtarisë së degës letrare, ka botimi i së përkohahmes letrare "Agimi" ku bashkëpunuan disa nga pendat më të mira të kohës. Përveç pasqyrimit të veprimtarisë së degëve të ndryshme të shoqërisë, në këtë të përkohshme u trajtuan me kompetencë probleme të gjuhës, të arsimit, historisë, edukatës, shkencës, të traditave të popullit, kulturës, artit e deri tek ato të sportit. Drejtues i saj gjatë vitit të parë të botimit që Kristo Floqi; kurse, duke filluar nga viti i dytë i botimit (maj 1920) dhe deri në numrin e fundit të vitit të tretë (mars - prill 1922), drejtues i saj qe Karl Gurakuqi.

Po aq e pasur gjatë vitit 1919 qe edhe veprimtaria e degës teatrore. Kështu, me 29 e 30 qershor 1919 shfaqet në kinemanë e qytetit komedia "Shërbëtori i dy zotnive"e komediografit italian Karlo Goldoni, përkthye e përshtatë nga Hilë Mosi. Interpretuan: Kolë Gurakuqi dhe Hilë Mosi (në rolet e dy zotnive), komiku i njohur Gjon Krajni (në rolin e Tafrrukut), Ali Borshi, Lin Deda, Tef Leka, Jonuz Tafilaj. Skenari: Luigj Kakarriqi. Në mes të akteve, orkestra e shoqërisë "Rozafat", ekzekutoi pjesë të ndryshme muzikore. Shtojmë se bashkëpunimi në mes shoqërisë "Vllaznia" dhe dy shoqërive simotra "Rozafat" e "Bogdani"qe mjaft i frytshëm edhe në veprimtaritë e ardhshme. Me 11 gusht 1919 shfaqet drama 3 aktesh "Erminia e vorfën", shkruar lirshëm nga Kolë Gurakuqi, sipas një subjekti të një filmi austriak të periudhës. Interpretuan: Lin Deda, Roza Shoshi, Kolë Mjeda, Kolë Gurakuqi, Ali Borshi, Jonuz Buliqi, Tefë Leka, Jonuz Tafilaj, Omer Ruzhdia, Muhamet Reçi. Regjia: Luigj Kakarriqi, dekori: Gasper Simoni. Për herë të parë, së bashku me burra, interpretoi edhe një aktore femër, gjë që shkaktoi mjaft polemika në shtypin e kohës. Drama u përsërit edhe me datën 14 dhjetor 1919. Me 14 shtator1919 shfaqet komedia "Dy shërbëtorët" e Goldonit, përkthye e përshtatë nga Hilë Mosi. Në rolet kryesore interpretuan Cin Daija dhe Lazer Gurakuqi. Regjia: Luigj Kakarriqi. Në mes rë akteve pianisti Luigj Filaj luajti pjesë të zgjedhura muzikore. Duke komentuar këtë shfaqje, e përkohshmja "Agimi", ndër të tjera, shkruan: "Ndonëse origjinali e tregon vendin e njerëzit e komedisë ndodhë në Itali, edhe kësaj here Hilë Mosi dijti me e shkrue këtë komedi e me i dhanë nji trajtë aq shqyptare sa me u dukë ma fort pjesë origjinale se sa një përkthim", (Agimi, tetor 1919, fq. 93 - 94). Me 27 nëntor 1919, në përvjetorin e shtatë të shpalljes së pavarsisë, aktorët amatorë të shoqërisë "Vllaznia" dhanë për publikun shkodran dramën historike 5 aktesh "Karl Topia", vepër origjinale e Kristo Flloqit. Drama "Karl Topia" së bashku me komedinë "Shërbëtori i dy zotnive", u përsërit edhe me datën 21 dhjetor 1919.

Gjatë vitit 1919 u dhanë gjithsej 12 shfaqje teatrore. Me të ardhurat e vjelura nga shitja e biletave u pasurua skenari, rekuizita dhe u sigurua financimi për botimin e së përkohshmes "Agimi" gjatë gjithë vitit. Shtojmë se për përballimin e shpenzimeve administrative, paisjen e degëve të shoqërisë me mjetet e nevojshme lënë jashtë, e konsiderueshme qe edhe ndihma në të holla që dhanë bujarisht shumë familje të njohura shkodrane.

Viti 1920 shënoi një rritje cilësore të veprimtarisë së shoqërisë "Vllaznia". Krahas degëve letrare dhe teatrore, filloi të konkretizohet edhe veprimtaria e degëve muzikore e gjimnastikore që kishin mbetur deri tani në fazën përgatitore. Nga ana tjetër, largimi i forcave të huaja ushtarake nga qyteti dhe bashkimi i Shkodrës me qeverinë kombëtare të dalë nga Kongresi i Lushnjes, krijuan terrenin e përshtatshëm për shtrirjen e veprimatarisë së shoqërisë edhe në sferën politike. Për këtë qëllim, mbledhja e kryesisë së shoqërisë mbajtur me 23 prill 1920, vendosi një zëri që: "programi i jonë të zgjanohet tue u marrë edhe me politikë, kështu qi shoqnija të bahej prisja e të gjithë djemnis shqyptare në lamen letrare e politike?". (Agimi, maj 1920, fq.15). Duke filluar nga viti i dytë i botimit (maj 1920) edhe e përkohshmja letrare "Agimi"do të quhet e përkohshme letrare - politike. Ndonëse me karakter lokal, shoqëria "Vllaznia" nuk u mbyll në guackën e vet. Ajo qe plotësisht e ndjeshme ndaj ngjarjeve të vendit, jashtë Shkodrës, duke mbajtur gjithmonë një qëndrim antuziast. Në një shkrim me titull "Moti sot" botuar nga Hilë Mosi në organin e shoqërisë, ndër të tjera lexojmë: "Shpresa jonë ka nisë të shtohet edhe ma shumë, kur shofim se edhe djelmnia e Durrësit, tue marrë si pasqyrë shoqëninë tonë, themeloi ndër kohënat e fundshme nji shoqëni me emnin "Vllaznija". Na shpresojmë se të tilla shoqenina kanë me u ngehë kudo në Shqipni edhe se djelmnia shqiptare tue përdoruem mjetet ma të bukura: letratyren, theatrin, muzikën dhe gjimnastikën ka me e shti popullin tonë në nji jetë të re, qi ka me u quejtë ajo e përlindjes së Shqipnisë". (Agimi, janar 1920, fq.138).

Para se t vazhdojmë me kronikën e veprimtarisë së degëve letrare dhe teatrore, shënojmë se, ndërkohë, ishin miratuar rregulloret e reja dhe zgjedhë drejtuesit e ri të këtyre degëve, respektivisht Karl Gurakuqi për degën letrare dhe Kolec Deda për degën teatrore. Ndërsa fusha e veprimtarisë së degës letrare përqëndrohet si dhe më parë në mbarëvajtjen e shkollës së natës, mbashtrimin e bibliotekës dhe botimin e së përkohshmes "Agimi"; dega teatrore vazhdon ta pasurojë repertorin e vet me pjesë të reja origjinale, të përkthyera apo të përshtatura nga repertori i huaj.

Serinë e shfaqjeve për vitin 1920, aktorët amatorë të shoqërisë "Vllaznia" e çelën me dramën 3 aktesh "Filja" e dramaturgut gjerman Teodor Korner, përkthye e përshtatë nga Hilë Mosi. Drama u dha me 19 mars 1920, në përvjetorin e gjashtë të ngritjes së flamurit kombëtar në kështjellën "Rozafat" dhe me rastin e bashkimit të Shkodrës me Qeverinë e Tiranës. Ngjarjet e dramës, në variantin shqip, zhvillohen në Kurbin të Krujës dhe trajtojnë episode nga qendresa e popullit tonë në të kaluarën. Në shfaqjen e dramës asistuan Ahmet Zogolli, minister i mbrendshëm dhe Hoxha Kadrija, ministër i drejtësisë. Me 5 prill 1920 shfaqen idili një akti "Shqypnija", shkruar nga Kolë Gurakuqi dhe komedia një akti "Bija e banakierit" e Kristo Floqit. Me 25 dhe 26 prill 1920 shfaqet drama 4 aktesh "Atdheu" ose "Lufta e Silistrës" e shkrimtarit turk Namik Qemal (1835 - 1890), përkthye mga Sabri Qyteza (varianti gegë nga Kolë Gurakuqi). Interpretuan: Ramadan Mandiqi, Shuk Radoja, Luigj Helepljani, Ndoc Temali. Regjia: Luigj Kakarriqi. Së bashku me dramën "Atdheu" përsëritet edhe komedia "Bija e Bankierit". Drama pa komedi u shfaq edhe me 27 prill për nxënësit e shkollave të qytetit. Me 6 e 9qershor 1920, në skenën provizore ngritur nga shoqëria "Vllaznia" në Lulishten Popullore, jepen komedia një akti "Vëllazeni e interesë" e Kristo Floqit, interpretuar nga Ndoc Temali, Luigj Kakarriqi, Salvator Kurti, etj.; farsa "Fëmijët tonë", përshtatë sipas shkrimtarit Branislav Nushiq nga Luigj Kakarriqi dhe interpretuar nga Tish Prendushi dhe Zef Shkanjeti si dhe komedia një akti "Do të vras vedin" e Kristo Floqit, interpretuar nga Luigj Kakarriqi (në rolin e Patukut) dhe Ndoc Temali (në rolin e shërbëtorit). Me 13 qershor 1920 jepen komeditë një akti "Nder e Qytetni" dhe "Reklamë e blofë" të Kristo Floqit. Me 28 nëntor 1920 shfaqet tragjedia pesë aktesh "Pirro Neoptolemi", punuar nga Kristo Floqi sipas veprës "Andromaque" e Jeane Rasine. Në variantin e dhënë, autori i mirënjohur i sa e sa pjesëve teatrore përshkruan ngjarje që kanë të bëjnë me historinë e lashtë të popullit tonë. Interpretuan: Tef Leka (në rolin e Pirros), Ramadan Mandiqi (në rolin e Orestit), Shuk Radoja (në rolin e Andromakës), Luigj Halepljani (në rolin e Hermionës), Lush Radoja (në rolin e Qefisës), Ndoc Temali (në rolin e Kleonës), Ali Borshi (në rolin Pilladit), Zenel Broja (në rolin e Feniksit). Për të parën herë, orkestra e shoqërisë "Vllaznia" ekzekuton ndër pushime pjesë të ndryshme muzikore. Me 26 dhjetor 1920 jepet komedia tre aktesh "Mjek perdhuni" e komediogafit francez Moliere, përkthye e përshtatë nga Karl Gurakuqi dhe farsa (Nusja e pela), përkthye, siç duket, nga italishtja prej Ejell Ljarja. Interpretuan: Salvator Kurti, Shuk Radoja, Loro Kovaçi, Zef Qerraxhija. Me 6 shkurt 1921, ditën e karrnavaleve, shfaqet komedia një akti "Koprraci" e Gordonit, përkthye nga Karl Gurakuqi dhe Shyqyri Borshi, i cili interpretoi gjithashtu edhe rolin e Koprracit. Së bashku me komedinë, u dhanë edhe farsa "Dragomani", përkthye nga Shyqyri Borshi dhe monologu "Mbi feminizmin". Komedia "Koprraci" që pati mjaft sukses, u përsërit edhe me datën 20 shkurt së bashku me monologun Gastuer "Trimnija e frikacakut" e humoristit italian Gandolini, përkthye nga Shyqyri Borshi. Vepra e fundit teatrore që përgatitën aktorët amatorë të shoqërisë "Vllaznia" për artdashësit shkodranë qe drama "Besa" e Sami Frashërit, shfaqë në kinemanë e qytetit me 26 nëntor 1921. Rënia e veprimtarisë së degës teatrore gjatë vitit 1921, në krahasim me dy vitet e mëparshme, duhet shpjeguar, në radhë të parë, me largimin nga Shkodra, për arsye pune, të disa prej amatorëve më cilësorë të shoqërisë "Vllaznia".

Larg Shkodret, për shkak të detyrave të rëndësishme shtetërore që mbulonte, ndodhej edhe kryetari i shoqërisë Hilë Mosi. Prandaj, mbledhja e përgjithshme e datës 9 janar 1921, pasi shpalli një zëri Hilë Mosin kryetar nderi të shoqërisë; zgjodhi kryesinë e re të përbërë nga: Patuk Saraçi, kryetar; Hysejn Draçini, nënkryetar; Kel Naraçi, sekretar; Ramadan Mandia, arkëtar; Kolë Mjeda dhe Ismajl Anamali, këshilltarë; Ali Borshi dhe Kolec Deda, kontrollorë.

Krahas veprimtarisë së gjërë të degëve letrare dhe teatrore, një vend të dukshëm zë edhe veprimtaria e degës muzikore. Drejtues i saj, duke filluar nga muaji maj i vitit 1920, qe mjeshtri Zef Kurti. Për t'u shënuar ndihmesa e vyer që ka dhënë në mbarëvajtjen e degës muzikore të shoqërisë "Vllaznia" mësuesi më përvojë drejtuese i muzikës Luigj Prela. Baza e kësaj veprimtarie qe, në radhë të parë, banda muzikore (shoqëria kishte edhe një orkester, të kufizuar në numër, në formë mandolinate). Me një efektiv të vogël por luftarak, duke patur një mbështetje të mirë në ish pjesëtarët e bandës muzikore të Shkollës së Artizanatit, ajo fillon shumë shpejt të gjallërojë me tingujt e vet festiv ngjarjet e ndryshme me karakter kulturor, shoqëror apo politik që karakterizuan gjatë asaj periudhe jetën e qytetarëve shkodranë. Ja disa nga faqet e ditarit të veprimtarisë së degës muzikore të shoqërisë "Vllaznia" në përgjithësi dhe të bandës muzikore në veçanti. Me 20 dhjetor 1920, ajo i prinë manifestimit mbarëpopullor me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ndërkohë, banda muzikore e shoqërisë kishte filluar të jepte rregullisht koncerte për popull në lulishten kryesore të qytetit. Me 30 mars 1921 arriti për një vizitë në qytetit e Shkodrës deputeti francez Justin Godart, i cili në Konferencën e Paqes dhe në sa e sa botime të tij mbrojti me forcë çështjen shqiptare. Në banketin e shtruar për nder të tij nga Bashkia, morën pjesë edhe banda muzikore e shoqërisë "Vllaznia" dhe orkestra e shoqërisë "Rozafat" "të cilat patën nderime të posaçme prej z. Godard?". (Agimi, prill 1921, fq. 179 - 180). Në datat 11 - 13 maj 1921, dega muzikore dhe teatrore e shoqërisë "Vllaznia" bën një turne në qytetet Lezhë, Tiranë, Shijak, Durrës dhe Shëngjin. Nga kronika e këtij turneut të suksesshëm shkëpusim fragmentet: "Eskursionistat hynë në qytet të Tiranës nëpërmjet joneve të ambla të bandës së "Vllaznisë" e të valleve kombtare? Me dt.12 dega theatrore çqfaqë në lokalin e shoqnis "Lidhja Kombtare" e Tiranës dramin Pirro Neoptolemi" të përcjelllun me nji monolog. Ndër pushime dega muzikore knaqi veshët e ndigjuesave? me dt. 13 i paraqitet publikut të Tiranës komedia "Koprraci" e farsa "Dragomani", mbasi mbasdreke ishte dhanë një koncert i kandshëm prej degës muzikore në fushë te Selvijat". (Agimi, maj 1921, fq. 17 - 18). Me 24 maj 1921 shoqëritë "Vllaznia" e "Bogdani" dhanë, në sallën e kinemasë së qytetit një argëtim teatror - muzikor për nder të një grupi deputetësh që kishin ardhë ato ditë me mision në Shkodër. Me 3 shtator 1921 me ftesë të Bashkisë së Vlorës, banda muzikore e "Vllaznisë" shkon në qytetin e Vlorës për të marrë pjesë në manifestimet që u organizuan atje në rastin e bashkimit të Vlorës me Qeverinë Kombëtare. Me këtë rast ata i bënë një vizitë atdhetarit Avni Rustemi. Me 24 shtator 1921, populli i Shkodrës priti profesorin Eugene Pittard, mbrojtësin e palodhur të të drejtave të shqiptarëve pranë qarqeve diplomatike evropiane. Në hyrje të qytetit kishte dalë për ta pritë mysafirin e shquar edhe banda muzikore e shoqërisë "Vllaznia". Në mbrëmjen e datës 26, shoqëritë "Vllaznia" e "Rozafat" shtruan për nder të bashkëshortëve Pittard një banket në Hotel "Evropa" ku, së bashku me të ftuarit e tjerë qenë të pranishme edhe dy orkestrat e shoqërive mikpritëse. Me 28 shtator 1921, shoqëritë "Vllaznia" e "Rozafat"dhanë në nderim të Avni Rustemit një banket në Kafen "Adriatik", ku morën pjesë autoritetet vendore, banda muzikore e "Vllaznisë" dhe orkestra "Rozafat". Në emër të shoqërive përshëndeti mikun dhe atdhetarin e shquar Karl Gurakuqi. Me 29 nëntor 1921, malësorët e Hotit, të Grudës e të Kastratit, të prirë prej françeskanëve të Malësisë së Madhe e prej bandës muzikore të shoqërisë "Vllaznia", u mblodhën para Bashkisë së qytetit për t'i paraqitë përfaqësuesve së Lidhjes së Kombeve protesten e tyre që u kishte bërë Evropa duke i lënë nën zgjedhën e serbëve dhe për t'i kërkuar bashkimin e trojeve të tyre me Shqipërinë. Me 23 dhjetor 1921 organizohet në Shkodër një meting tjetër i madh në shenjë solidariteti me shqiptarët e krahinave veriore të shkëputura padrejtësisht nga kufinjtë e ligjshëm të Atdheut dhe për t'i paraqitë Komisionit të Lidhjes së Kombeve për caktimin e kufinjve, kërkesën për shpëtimin e Hotit e të Grudës. "Banda muzikore e shoqnis "Vllaznija", si gjithmonë, as kso heret s'u kursye me marrë pjesë në ket meting të mjerueshëm". (E përkohshmja "Hylli i Dritës", Shkodër, dhjetor 1921). Me 7 mars 1922 arriti në Shkodër Komisioni aleat për caktimin e kufinjve. Në hyrje të qytetit, së bashku me popullin dhe autoritetet vendore, kishin dalë për t'i pritur edhe anëtarët e shoqërive të ndryshme me në krye banden muzikore të shoqërisë "Vllaznia".

Me të drejtë emri "Vllaznia" ka mbetur në kujtesën tonë si i pari klub sportiv shqiptar me të cilin janë të lidhura fillesat e disa llojeve të sportit. Klubi sportiv "Vllaznia" i qytetit të Shkodrës është krenar për sukseset që ka arritur, duke mbrojtur për më se tetë dekada ngjyrat e këtij emri kuptimplotë. Më poshtë po rreshtojmë disa momente nga veprimataria e degës gjimnastikore të shoqërisë "Vllaznia" me drejtues, nga muaji maj 1920 Rrok Daberdaku.

Me 13 qershor 1920, pas ndeshjes së futbollit midis skuadrave të ushtarakëve italianë me qëndrim asokohe në Shkodër dhe asaj të shoqërisë "Vllaznia", u organizua një Vrap prej 4200 metrash me pjesëmarrjen e 25 vrapuesve. I pari arriti Kolë Gjoni i cili e përshkoi këtë distancë brenda 17 minutash. Përveç vrapit u organizua edhe një Ecje sportive me të njëjten largësi të cilën e mbuloi i pari, me kohën prej 23 minutash, Palokë Nika. "Ky zotni asht për t'u lëvdue se asht nji ndër ma të xetit e ma të interesuemit për sport?". (Agimi, korrik 1920, fq.47). me 4 korrik 1920 organizohet përsëri një vrap prej 8 km. Për mbarëvajtjen e tij u formua një komitet i posaçëm nën kryesinë e Luigj Gurakuqit. I pari arriti Palokë Kola e pas tij, sipas radhës, Loro Rroku, Lluko Çetkovi e Ndoc Meshkalla. Për fituesit u ndanë dhurata të ndryshme. Me rastin e 28 nëntorit 1920, krahas sa e sa veprimtarive të tjera, u zhvillua edhe një ndeshje futbolli që u ndoq nga shumë amatorë të këtij sporti. Ndeshja u zhvillua në sheshin para Prefekturës. Me 28 mars 1921 zhvillohet një ndeshje tjetër futbolli; kurse me 29 të këtij muaji një garë çiklistike me itinerar Lulishta Popullore - Çezme Koplik. Konkurimi i çiklistëve, të veshur me kostume sportive, ngjalli interesë të veçantë tek qytetarët shkodranë të cilët, me brohoritje, duke patur në krye bandën muzikore të shoqërisë, përcollën dhe pritën përfundimin e garës. Fitues të garës, nga vendi i parë në të tretin, qenë Loro Nika, Ndoc Kurti dhe Gaspër Daberdaku. Shoqëria "Vllaznia" ka meritën se ka organizua e para në Evropë një rreth të vërtetë çiklistik për amatorë. (Shih Gazeta Sporti datë 15 shkurt 1994). Me 23 shtator 1921 skuadra e futbollit e shoqërisë "Vllaznia" qe ftuar nga Shoqëria gjimnastikore e Tiranës për të zhvilluar një ndeshje futbolli me skuadren e saj. Ndeshja që është njëkohsisht e para ndeshje futbolli midis skuadrave të këtyre dy qyteteve, u zhvillua me datën 25 mbasdreke dhe u fitua nga skuadra e shoqërisë "Vllaznia". Krahas ndeshjeve të futbollit që zhvilloheshin herë pas here midis lojtarëve anëtarë të shoqërisë, dega gjimnastikore organizoi me datën 5 mars 1922 edhe një Vrap prej 8 km. Fituam garën, nga vendi i parë në të tretin, Paç Marku, Tef Prenushi dhe Loro Berdica. Drejtuesi i degës gjimnastikore të shoqërisë gjatë periudhë së fundit të veprimtarisë së saj qe Tush Kakarriqi.

Në fillim të vitit 1921 ngrihet në Vlorë, me nismen e Avni Rustemit, Federata "Atdheu", e cila kishte për qëllim bashkimin kombëtar të mbështetur në lartësimin moral, shoqëror dhe ekonomik të popullit shqiptar. Që me formimin e saj, Federata "Atdheu" u bëri thirrje të gjitha shoqërive kulturore të vendit të bashkoheshin nën një program dhe nën një emër duke patur një qendër të përbashkët e degë të ndryshme. Thirrjen e mësipërme shoqëria "Vllaznia" diskutoi në mbledhjen e përgjithshme të anëtarëve të saj me datën 13 mars 1921, mbledhje në të cilën mori pjesë dhe një i deleguar i Federatës. Me zëra të përbashkët, mbledhja dha pëlqimin për aderimin e shoqërisë "Vllaznia" në Federatën "Atdheu" dhe caktoi kryetarin e nderit të shoqërisë, Hilë Mosin dhe Karl Gurakuqin si përfaqësues të saj në kongresin që më të drejtë u quajt Kongresi i Bashkimit Kombëtar. Kongresi i zhvilloi punimet e tij në qytetin e Vlorës nga data 25 prill deri me datën 3 maj 1921. Në përfundim të punimeve, kongresi miratoi statutin e ri të Federatës "Atdheu" dhe zgjodhi këshillin e përgjithshëm që rezultoi i përbërë nga: Kolë Tromara, kryetar; Karl Gurakuqi, sekretar; Ahmet Dakli, anëtar; Bedri Pejani, inspektor; Seid Kemali, drejtues i revistës. Kryetar nderi, me zëra të përbashkët, u zgjodh nismëtari për krijimin e Federates "Atdheu", Avni Rustemi.

Për t'iu përshtatur gjendjes që solli me vete aderimi i shoqërisë "Vllaznia" në Federatën "Atdheu", u mbajt me 16 tetor 1921, në sallonin e Shkollës Qytetëze, mbledhja e përgjithshme e shoqërisë ku u zgjodh gjithashtu edhe kryesia e re e përbërë nga: Kolë Kraja, kryetar; Sander Saraçi, sekretar; Omer Ruzhdija, Ali Borshi dhe Spiridion Kacarosi, kontrollorë.

Me 8 nëntor 1921 bëri një vizitë në qytetin e Shkodërs kryetari i nderit të Federatës "Atdheu", Avni Rustemi. Në mbasdrekën e asaj dite mbajti në sallonin e kinemasë së qytetit konferencën "Përmbi detyrët e rinisë ndaj Atdheut të vet". (Agimi, nëntor 1921, fq. 140).

Kriza qeveritare që shpërtheu aso kohe në Tiranë si rezultat i grindjeve midis partive të Këshillit Kombëtar, shqetësoi me të drejtë patriotët e vërtetë. Duke u bashkuar me këtë shqetësim, shoqëritë e ndryshme të qytetit të Shkodrës i drejtuan Parlamentit këtë telegram: "Gjithë populli ka sjellë sytë kah ju e në ju ka mbështetë shpresat e veta. Ky ju ka dhanë provët ma të shndritshmet për urti e bindje, por ju, mjerisht me dasi tuej keni lëkundë themelisht moralin e zvoglue autoritetin e Qeverisë. Bajmë pra thirrje patriotizmit tuej që t'i pushoni grindjet, qi të sakrifikoni ambicionet vetjake në elter të Atdheut e qi të merrni parasysh popullin qi po vuen në vorfni e të kujdesoheni me i gjetë mjetet e gjallnimit". Firmue: p. Qandren "Atdheu", Kolë Kraja; p. Shoq. "Nji tubë djelmni", Kel Marubi; p.Shoq. "Rozafat", Zef Kadarja; p. Shoq. "Puntore", Kolë Mjeda; p. Shoq. "Detare", Omer Ruzhdi; p. Shoq. "Bogdani", Zef M. Harapi. (Agimi, dhejtor 1921, fq. 160).

Viti 1922 qe viti i rënies së veprimtarisë së shoqërisë "Vllaznia" dhe i shpërndarjes së saj. Për t'u shënuar gjatë muajve të parë të vitit 1922 veprimtaria e degës letrare me drejtues Kolë Kamsin. "Përveç të mbajtunit të revistës, dega asht përkujdesë në nji mënyrë të veçantë me zmadhue bibliotekën e me përmirsue sallën e leximit ku djemnia kalon kohën me dobi duke lexuar libra, revista e gazeta shqipe e të hueja". Edhe dega muzikore nën drejtimin e Luigj Prelës, ndonëse disa pjestarë janë largue nga Shkodra për arsye pune, merr pjesë si dhe ma parë në manifestime kombtare, ndër të kremtë e argtime të popullit" (Agimi, mars - prill 1922, fq. 223).

Megjithë kohën e shkurtër të ekzistencës, me veprimtarinë e saj të gjithanshme, shoqëria "Vllaznia" ndihmoi shumë për mbajtjen gjallë në popull të ndjenjave të atdhedashurisë, i shërbeu edukimit të tij duke i dhënë hov të ri jetës luturore - artistike në qytetin e Shkodrës.

Shkodër, më 7 mars 2002



© Phoenix - Bashkimi Katolik i Publicistėve Shqiptarė
Riprodhimi dhe shpėrndarja vetėm me lejen e redaksisė.
http://www.phoenix-shkodra.de